​HardhFest “Me pamje kah vneshta”

Festivali i vjeljes së rrushit “HardhFest” sivjet mbahet nga data 7 deri 9 shtator në konakun e Rahovecit me sloganin “Me pamje kah vneshta”.

Dea Luma, përgjegjëse për marrëdhëniet me publikun nga ky festival, ka treguar se në edicionin e 17-të të këtij festivali, kanë sjellë aktivitete të reja. Ajo njoftoi për ekspozitën “Rahoveci dhe rahovecianët ndër vite” që do të hapet në kuadër të HardhFest-it, duke e quajtur këtë festival të veçantë.Drejtori artistik i HardhFest-it, Gardalin Shtavica, tha se sivjet HardhFest do të ketë programin më të mirë që ka pasur ndonjëherë dhe tha se do të performojnë artistë e bende vendore dhe të huaja, mes tyre, Eguent Bushpepa, Troja, Kee Marcello, DJ Nouveabeats etj.
Ndërsa Nora Boshnjaku, përfaqësuese nga Komuna e Rahovecit, tregoi që është rritur interesimi i turistëve nga Evropa, për të marrë pjesë në HardhFest. Ajo shtoi se komuna është e gatshme ta përkrahë këtë festival përmes këshillit organizativ.

Ylber Bajraktari, përfaqësues i Stone Castle, kompani sponsore kryesore e HardhFest-it, ka njoftuar po ashtu, se në kuadër të HardhFest-it, Stone Castle do të promovojë dy produkte të reja.

Ndryshe, ai ka njoftuar se vizitorët e HardhFest-it do të kenë mundësi ta vizitojnë bodrumin e Rahovecit, i cili njëherësh është bodrumi më i madh i verës në Evropë dhe të marrin informacione rreth tij. /KosovaPress/

Rekomandime