5 cent më lirë litri i derivateve të naftës për bujqit e Ferizajt

Paraditen e sotme, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin e HIB Petrol – Astrit Sahiti, me të cilin ka diskutuar lidhur me mundësinë që kjo kompani të ofroj lehtësira, gjegjësisht çmim më të lirë për litër në derivatet e naftës për bujqit ferizajas.

Përfaqësuesi i HIB Petrol, Astrit Sahiti, sipas njoftimit të komunës së Ferizajt, konfirmoi se kjo kompani është e gatshme të ofroj lehtësira me qëllim të ndihmoj bujqit ferizajas.

Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami u shpreh se një marrëveshje e tillë po ndodh për herë të parë në Komunën e Ferizajt dhe se kjo lehtësirë do të fuqizoj bujqit vendas.

“Komuna e Ferizajt për herë të parë po ndërmerr një marrëveshje të tillë për të zvogëluar sadopak shpenzimet e bujqve ferizajas. Me përfaqësuesin e HIB Petrol, ramë dakord që për bujqit ferizajas të ketë një zbritje prej 5 cent në litër të derivateve të naftës në çdo pikë ku kjo kompani operon. Është një hap konkret në përmirësimin e kushteve dhe ofrimin e mundësisë për bujqit ferizajas. Kjo iniciativë dhe të tjera të kësaj natyrë që po ndërmerren janë në kuadër të politikave të qeverisjes lokale me mbështetjen e pakursyer edhe të Kryetarit të Komunës, Agim Aliu, për të fuqizuar bujqësinë dhe zhvillimin rural në territorin e Ferizajt. Falënderoj tatimpaguesin më të madh në Kosovë, kompaninë HIB Petrol që jo vetëm në këtë rast por edhe në raste të tjera i është gjendur pranë qytetarëve ferizajas, tashmë edhe bujqve ferizajas” tha drejtori Bajrami.

Kjo iniciativë është ndërmarr pas kërkesave dhe ankesave të bujqve ferizajas për koston e shpenzimeve të tyre. Ditëve në vijim do të lansohet edhe ky projekt, i cili do t’i mundësoj të gjithë bujqve që përmes NIF-it (numri identifikues i fermerit) të furnizohen me derivate të naftës 5 cent më lirë në litër sesa çmimi i tregut. Kjo iniciativë paraqet hap konkret në kuadër të politikave të qeverisjes lokale për fuqizimin e bujqësisë, lehtësim ky që do të ndikoj në uljen e shpenzimeve, rrjedhimisht rritjen e prodhimtarisë bujqësore./Lajmi.net/

Rekomandime