ASK: Rriten çmimet e prodhimeve bimore dhe blegtorale

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi” për vitet 2015-2018.

Sipas ASK-së ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma, dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

“Prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Ndërsa për prodhimet blegtorale, çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe për prodhimet blegtorale.

Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula.

Më tej në njoftimin e ASK-së thuhet se këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale, çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro, kurse njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.

“Në vitin 2018, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 6.8 për qind, krahasuar me vitin 2017. Kurse, Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 0.6 për qind në vitin 2018, krahasuar me vitin 2017. Indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore ka rritje për 3.3 për qind për këtë periudhë”, bën të ditur ASK.

“Në vitin 2018, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 7.9 për qind, krahasuar me vitin 2015. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 2.4 për qind në vitin 2017, krahasuar me vitin 2015. Indeksi i përgjithshëm vjetor i prodhimeve bujqësore ka rritje për 4.7 për qind në vitin 2018, krahasuar me vitin 2015”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Rekomandime