Dhia e kuqe e Hasit

Është raca tipike autoktone e dhive në zonën e veriut të Shqipërisë. Është e përhapur në trevat e Qarkut të Kukësit, përfshirë rrethet e Kukësit, Hasit, Tropojës disi më pak, deri në zonën e thellë malore të Nikaj-Mërturit. Mendohet se mund të jetë edhe në Kosovë, në trevat e Malësisë së Gjakovës etj.

Populacioni aktual përbëhet nga një numër prej rreth 30 – 35.000 krerë në pjesën “shqiptare” dhe mbarështohet me shumë sukses nga barinjtë e apasionuar në kushtet aktuale të atyre kullotave të ripërtërira, pas dëmtimeve të sistemit socialist.

Dhia e Hasit së bashku me dhinë e Dragobisë, në vitet ‘70 – ‘75, para tufëzimit famëkeq, prodhonin mesatarisht jo më pak se 250 – 300 litra për krerë, përfshirë këtu edhe qumështin që pinë kecat.

Kuptohet që këtu kishte ndikuar puna shekullore seleksionuese ekstensive e vetë barinjve të talentuar, e cila u rrëzua në mënyrë të dhunshme nga eksperimentet e çmendura të regjimit komunist në emër të rendit kooperativist socialist.

Edhe sot në tufat e paraqitura në konkurs merret një prodhim nga 150 – 200 litra qumësht për krerë të mjelë. E ky rendiment duket mjaft i kënaqshëm për kushtet ekstensive të mbarështimit, në një kohë kur dora e specialistit ende nuk ndihet si duhet.

Dhia e Hasit karakterizohet nga një temperament i lartë dhe mjaft ekzigjent ndaj kushteve të mjedisit, në veçanti ndaj lagështirës. Është e durueshme ndaj temperaturave të ulëta të dimrit dhe një shfrytëzuese shumë e mirë e kullotës në të gjitha stinët e vitit.

Ajo çka është e rëndësishme tek kjo racë, ashtu si në të gjitha racat e tjera të dhive autoktone të vendit, është sjellja e saj e butë dhe elegante, le të themi prej “zonje”, por e një “zonje” që asnjë herë nuk “ka pasur fatin” që gjenetikisht të sillet si e tillë.

 

Rekomandime