Gjendja e llojeve të rralla të faunës në Parqe Kombëtare është e mirë dhe mbahet nën kontroll

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, (AMMK) përmes Institutit për Mbrojtjes së Natyrës dhe Drejtorive për Administrimin e Parqeve Kombëtare, me shqetësim kanë ndjekur raportimet e ditëve të fundit për gjuetinë e llojeve të egra të faunës në territorin e Parkut Kombëtarë “Sharri”.

“Raportimet nga Klan Kosova, që bazohen në deklarata nga individë të ndryshëm dhe disa organizata joqeveritare për gjuetinë ilegale në territorin e PK Sharri, janë spekulative dhe nuk janë bazuar në fakte dhe argumente konkrete” thuhet në reagimin e AMMK-së.

DAPK “Sharri” dhe Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, vazhdojnë të bëjë monitorimin e gjendjes së faunës së egër përmes vizitave të rregullta në terren dhe përmes kamerave kurth. Raportet dhe informatat nga terreni dhe nga regjistrimet e kamerave kurth flasin për gjendje të mirë të faunës dhe posaçërisht të llojeve të rrezikuara të gjitarëve, prania e të cilave në territorin e Parqeve Kombëtare është evidentuar në numër më të madh se sa në vitet paraprake.

Përveç monitorimit të gjendjes Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përmes Institutit për Mbrojtjen e Natyrës dhe Drejtorive për Administrimin e Parqeve Kombëtare, vazhdon të mbajë kontakte dhe takime të rregullta edhe me shoqatat e gjahtarëve në komunat që shtrihen në territorin e Parqeve Kombëtare, me qëllim të parandalimit të gjuetisë ilegale, ndërgjegjësimit dhe respektimin e dispozitave ligjore.

Nga vizitat e realizuara në terren dhe nga takimet me shoqatat e gjuetarëve dhe me banorët lokalë ka informacione për ndërhyrje nga personave të papërgjegjshëm ilegal nga Shqipëria dhe Maqedonia të cilët veprojnë si grup i organizuar dhe kanë si cak kryesisht gjuetinë e dhisë së egër (Rupicapra rupicapra) dhe kaprollit (Capreolus capreolus).

Për parandalimin e gjuetisë ilegale në këto zona DAPK Sharri, ka intesifikuar kontrollin dhe monitorimin në terren dhe poashtu është kërkuar ndihmë dhe bashkëpunim edhe nga Policia e Kosovës dhe Shoqatat e Gjahtarëve.

Për sqarim dhe informim të drejtë të opinionit, AMMK rikujton se gjuetia e llojeve të rralla të gjitarëve pa marrë parasysh vendin ku ndodh ajo, është e ndaluar me ligj dhe është e dënueshme. Gjuetia është e lejuar vetëm gjatë sezonit të gjuetisë dhe atë vetëm në vend gjahishtet e përcaktuara nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Me këtë rast AMMK, kërkon nga Inspektorët e Gjuetisë të Agjencionit të Pyjeve të Kosovës, Inspektorati Mjedisor i MMPH, Federata e Gjuetarëve të Kosovës dhe Shoqatat tjera të Gjuetarëve, që të mbajnë në kontroll gjuetinë dhe të respektojnë legjislacionin që mbron llojet e rralla të faunës.

Për më tepër AMMK, u bënë thirrje po ashtu edhe organeve të hetuesisë e veçanërisht njësisë së krimeve mjedisore të Policisë së Kosovës, që të hetojnë rastet e raportuara dhe të marrin masa për rastet kur ka pasur shkelje ligjore.

“Lusim edhe të gjithë qytetarët që kanë informacion të bazuar mbi gjuetinë e llojeve të rrezikuara të faunës në territorin e Parqeve Kombëtare, që ti raportojnë ato pranë Drejtorive të PK, në AMMK apo në institucionet tjera relevante sikurse janë Policia e Kosovës dhe organet e hetuesisë”, thuhet në njoftimin e AMMK-së.

Rekomandime