Haradinaj: Nuk do të ndalemi deri në pastrimin e vendit tonë nga mbeturinat

“E fillojmë sot, dhe s’do të ndalemi pa e përfunduar. Por pasi ta përfundojmë heqjen e këtyre mbeturinave, nuk do të lejojmë që të hidhet mbeturinë kështu”, ishte mesazhi i sotëm i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në aksionin “Ta Pastrojmë Kosovën”, aksion ky, që po zhvillohet në kuadër të “Ditës së Pastrimit të Botës” të organizuar nga Lëvizja Globale “Let’s Do It World”.

Nën praninë e shumë përfaqësuesve të huaj e vullnetarë të ndryshëm, që sot iu bashkuan aksionit, Kryeministri Haradinaj, tha se për dy dekada është hedhur mbeturinë dhe mbetje në të gjithë vendin. Por, e bëri të qartë se një situatë e ngjashme nuk do të ndodhë më.

“Vendi ku jemi sot, do të kthehet në park, do të jetë një park për fëmijët, rininë, për të gjithë”, tha Kryeministri Haradinaj, nga vendi ku edhe u bë hapja e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, tek deponia ilegale më e madhe në kryeqytet.

Duke i falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen, Kryeministri Haradinaj theksoi se pikërisht në “Në Ditën Botërore për të pastruar botën” , sot edhe Kosova po pastron, pa dallim gjinie, feje, gjuhë, etni, moshë apo profesion. “Të gjithë jemi bashkë për ta pastruar vendin tonë”, vlerësoi ai.

Ndërkaq, nga ana e tij, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, bëri të ditur se e njëjta situatë është në të gjithë Kosovën, por që në 35 komuna të Kosovës i kanë dërguar agjendat e tyre. “Edhe vetë kryetarët e komunave janë në vendet e aksionit dhe po presim që mbi 100 mijë vetë sot të jenë pjesë e aksionit për pastrimin e vendit”, tha ai.

Në aksionin e sotëm, mori pjesë edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blend Klosi, i cili tregoi se janë sot në këtë iniciativë për të mbështetur lëvizjen vullnetare të të rinjve, të shoqërisë civile, e cila, siç theksoi ai, edhe sot po dëshmohet si në të gjithë botën, po ashtu edhe në Shqipëri e Kosovë.

“ Janë për mjedisin, janë për pastërtinë, janë që të kemi një mjedis të pastër, por në radhë të parë që të kemi një jetë të qëndrueshme”, shtoi ai.

Po ashtu, pjesë e këtij aksioni ishin edhe FSK-ja, Policia e Kosovës, KFOR-i, agjencitë e ndryshme shtetërore, ambasadorë të huaj në Kosovë, Ministritë, Komunat, nxënësit e mësimdhënësit, kompanitë private dhe ato të pastrimit. Kësaj inicative të Kryeministrit Haradinaj, iu bashkua edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën” do të zgjasë deri më datën 15 Dhjetor 2018, dhe është nismë e Kryeministrit Haradinaj që për qëllim ka pastrimin gjeneral të Kosovës nga mbeturinat e grumbulluara prej dy dekadash dhe aksion që do të pasojë me vendime restriktive për keqkpërdoruesit.

Në aksionin e sotëm, Kryeministrin Haradinaj e kanë shoqëruar Kabineti qeveritarë dhe punonjësit e Zyres së Kryeministrit.

Rekomandime