Herrja dhe seleksionimi i llastarëve

Me fjalën herrje nënkuptojmë eleminimin e llastarëve të rinjë e të tepërt që janë zhvilluar në vendin e prerjes, në çepa, harqe, në kokën e gigjës, në krahet dhe trupin e kordonit, në bazën e trupit të kordonit dhe në çepat rezervë. Herrja bëhet kryesisht me dorë dhe në kohën kur llastarët e arrijnë gjatësinë 10-20 cm. dmth. kur në gigjë të dallojmë llastarët prodhues nga ata joprodhues.

Në hardhitë e reja, deri në moshën e tyre 3 vjeçare, si dhe tek ato ku është në vazhdim e sipër formimi i kordonit apo forms bazë të hardhisë, dhe ku nuk është i nevojshëm dallimi i llastarëve prodhues nga ata joprodhues, herrja ndërmerret më herët, kur llastarët e zhvilluar arrijnë gjatësinë 3-6 cm. Herrja e sythave dhe llastarëve në këtë fazë të zhvillimit, arrihet shumë lehtë, ku edhe me prekje të lehtë ata eliminohen.

Në kushtet ku paraqitet rreziku i ngricave të hershme në pranverë, herrja duhet të ndërmerret kur ky rrezik kalon.

Me herrje, nga gigja eliminohen para së gjithash llastarët e tepërt ujthithës, e mandej llastarët joprodhues dhe llastarët e tepërt prodhues apo me zhvillim jo të mjaftueshëm, pa marrë parasysh se prej cilave sytha janë zhvilluar.

Në qoftë se prej një sythi janë zhvilluar 2 apo 3 llastarë, kurse në këtë rast, gjatë herrjes lihet vetëm një llastar prodhues apo joprodhues më i zhvilluari, kurse llastarët më pak të zhvilluar eliminohen.

Me herrjen e llastarëve në hardhitë e reja, në fazën e formimit të kordonit bazë, lihet vetëm numri i nevojshëm i llastarëve, të cilët shërbejnë për formimin e trupit të gigjës (trupit të hardhisë), kokës, krahëve të kordonit apo nyjeve prodhuese. Duke u nisur nga këto nevoja, është e domosdoshme që në vitin e parë, e më së voni në fillim të vitit të dytë të hardhisë së mbjellur, të përcaktohemi për formën e kordonit të pandërtuar, i cili, sipas rregullave, projektohet para mbjelljes së hardhisë, ku është e preferuar qysh tani të njihet mënyra e formimit të kitjes së rregullt;

Kur forma e kordonit bazë të hardhisë është formuar, qëllimi i herrjes është që të eliminohen llastarët e tepërt, e para së gjithash llastarët joprodhues, të cilët pengojnë depërtimin e dritës dhe ajrosjes së brendshme të hardhisë (të llastarëve prodhues, gjetheve të tyre dhe kalaveshave). Pra, llastarët e tepërt zvogëlojnë ajrosjen dhe dritën në brendi të hardhisë, kurse në fazën fillestare të zhvillimit të tyre, tërheqin dhe rezervat e materieve ushqyese nga hardhia. Në mbylljen e kalaveshave në brendi të hardhisë, nga llastarët e tepërt, zvogëlohet koloracioni i tyre, kurse me zvogëlimin e ajrosjes në pjesën e brendshme të saj, krijohen parakushte të përshtatshme për paraqitjen dhe zhvillimin e shkaktarëve të sëmundjeve dhe dëmtuesve në gjethe, llastarë dhe në rrush.

Në qoftë se në gigjat (cungat e hardhisë) në rende, ndërmerret mënyra e kitjes së formës së kordonit të Kranjit, gjatë herrjes, patjetër lihet numër i llastarëve rezervë, për aq sa çepa janë rezervuar gjatë kitjes së vitit të kaluar në të pjekur. Në të gjitha format e kordoneve të tjera, llastarët ujëthithës të zhvilluar në gigjen e hardhisë, patjetër eliminohen nga të gjitha pjesët e gigjës, përveç në qoftë se dëshirohet dhe në qoftë se ekziston nevoja që në pjesë të veçanta të gigjës të zëvëndësohet nyja prodhuese e tharë, apo krahu i zgjatur për së tepërmi i kordonit, etj…gjegjësisht në qoftë se dëshirohet që në atë vend të formohet nyje e re prodhuese, krah i kordonit apo hark. Në këtë rast lihet llastari thithës (thithaku) i cili gjatë kitjes në të pjekur kitet në çep rezervë. Kështu që trungjet (krahët) e dobësuar dhe zgjatja e tepërt e nyjeve prodhuese, zëvëndësohen në atë mënyrë që thithakët e zhvilluar kiten në çepa rezervë dhe në bazën e tyre lihen 1 – 2 sytha. Llastarët e rritur nga sythat e çepave rezervë, sipas parimit janë prodhues dhe në vitin që pason, varësisht nga nevoja, mund të kiten në çepa apo harqe, gjatë së cilës tani mund ta zëvëndëson krahun apo nyjen prodhuese, e cila dëshirohet të zevendësohet.
Kur është fjala për varietetet e rrushit të tryezës, herrja në çepa dhe në harqe duhet të bëhet në mënyrë rigoroze në krahasim me varietetet e verës, ku qëllimi bazë është që në llastarët e lënë prodhues, të arrihet kualitet sa më i mirë i rrushit.

Duke marrë parasysh që në kohën e zhvillimit intenziv të llastarëve (lastarimit), rritja mesatare e tyre mund të arrijë 3-5 cm. në ditë, përfundojmë që herrja duhet patjetër të përfundojë në kohën sa më të shkurtër që të jet e mundur, sepse me këtë rast, kur të të drunjëzohen llastarët, në bazën e tyre, gjatë herrjes në pjesët 2 vjeçare e më shumë të gigjës, formohen plagë të mëdha. Në qoftë se me herrje vonohemi, gjatë eliminimit të llastarëve të tepërt e të drunjëzuar nga gigja (nga cungu I hardhisë), duhet të përdorim brisk të mprehtë ose gërshërë.

Në vitin ku lëvizja e sythave dhe zhvillimi i tyre nuk është i barabartë, dhe anon në periudhë të gjatë kohore, është e nevojshme që herrja të bëhet në dy apo tri periudha, e posaçërisht në gigjat, forma bazë e të cilave është në fazën e formimit. Në qoftë se me herrje për së tepërmi vonohemi, kur llastarët arrijnë gjatësinë mbi 50 cm, tani herrja duhet të ndërpritet sepse në këtë fazë të rritjes së llastarëve, gigjës i bëjmë më tepër dëm sesa dobi, duke marrë parasysh që gjethet e fundit në llastar, me aktivitetin e tyre të fotosintezës, më shumë formojnë materie organike sesa që i shpenzojnë ato për rritje.

Siç e kemi përmendur, që llastarët prodhues të zhvilluar dobët, me 3-5 gjethe dhe me trashësi mesatare më të vogël se 5mm. nuk mund të sigurojnë masë prodhuese dhe kualitet të rrushit dhe mu për këtë gjatë herrjes duhet të eliminohen. Në favor të këtij fakti shkon dhe hulumtimi i ri shkencor dhe teza e ushqimit autonom të çdo llastari të veçantë në gigjë. Sipas kësaj teze, sasia e asimilateve të cilën me aktivitetin e fotosintezës që e formojnë gjethet në një llastar, para së gjithash shërben për rritjen e vetë llastarit individual dhe furnizimin me ushqim të kalaveshave që mbajnë, e nuk u jep ushqim edhe llastarëve të tjerë ose kjo dhënje është e panjohur. Në qoftë se çmohet që ndonjë llastar në fillimin e fazës së zhvillimit të tij, është dobët i zhvilluar, e në vete mban 1 apo 2 e ndoshta edhe 3 kalavesha, më pak apo më shum, ai është i pazhvilluar dhe do të mbetet ashtu deri në mbarim të vegjetacionit, sepse nuk është në gjendje që vetveten dhe kalaveshat që mban, t’i furnizojë me ushqim, sepse huazimi nga llastarët më të afërt nuk pritet.
Përndryshe, nga herrja e rregullt dhe profesionale e ndërmarrë në kohë të volitshme, mund të priten këto efekte pozitive:

-Shpenzimet më të vogla dhe më ekonomike të rezervave ushqyese dhe materieve të tjera minerale për rritjen e llastarëve në fazën e zhvillimit të tyre.

-Radhitja e mirë e llastarëve prodhues në gigjë, ofron kushte për rritjen e fuqishme të tyre, mospengimin e njëra-tjetrës, ajrosja dhe depërtimi i dritës së diellit në llastar, gjethe dhe kalavesha është më i mirë.

– Në këto kushte ngritet shkalla e plleshmërisë dhe formimit të kokrrave në kalavesh, rritet madhësia e kokrrave dhe madhësia e kalaveshit, përmirësohet koloriti i kokrrave, ngritet sasia e sheqerit në musht dhe funksionimi intenziv të aktivitetit fotosintetik të gjetheve.

-Me rritjen e ajrosjes dhe ndikimit të rrezeve të diellit në llastarë, gjethe dhe kalavesha, zvogëlohet rreziku nga provokuesit e sëmundjeve dhe dëmtuesit në gjethe, llastarë dhe kalavesha, e në të njëjtën kohë kjo ofron zhvillim më të mirë dhe pjekje të plotë të llastarëve, që pozitivisht ndikon në pushimin dimëror të sythave dhe llastarëve, dhe gjithashtu ndikon në ngritjen e potencialit prodhues për vitin e ardhshëm.

-Edhe kitja në llastarët e pjekur të gigjës së herrur, është më e lehtë dhe më e shpejtë dhe kuptohet që puna gjatë kitjes bëhet më produktive dhe më ekonomike etj…

Herrja e gigjës së hardhisë ka ndikim domethënës indirekt në ngritjen e masës prodhuese dhe të kualitetit të rrushit, mushtit dhe verës, rrushit të tryezës, e me këtë dhe në efektin pozitiv ekonomik të prodhimit të rrushit.

Për shkak se herrja është e lidhur ngusht me njohjen e principeve të kitjes së saj në të pjekur, ky operacion duhet t’i besohet puntorëve të kualifikuar, të cilët e njohin formën bazë të kordonit të hardhisë në të cilën hërrja ndërmerret dhë bëhet në bazë të nevojave të llastarëve për vitin që vjen.

Autor: Rexhep Kryeziu

Rekomandime