Kultivimi i qepës me anë të mbjelljes së drejtpërdrejtë të farës në fushë

Kjo është një mënyrë mjaft e përhapur e kultivimit të qepës në shumë vende të botës. Kjo mënyrë e kultivimit të qepës është mjaft ekonomike dhe ka disa përparësi në krahasim me kultivimin e qepës me anë të qepujkave.

Kjo mënyrë e kultivimit kërkon përgatitje shumë më cilësore të tokës si dhe kujdes shumë më intensiv në krahasim me mënyrën tjetër të kultivimit (përmes qepujkave).

Kultivimi i qepës me anë të mbjelljes direkte të farës në fushë mund të jetë i suksesshëm vetëm në tokat me strukturë të mirë, të përgatitura për mbjellje në mënyrë cilësore, të rrafshta (të përshtatshme për ujitje), të pastërta nga barojat etj.

Përgatitja e tokës fillon në vjeshtë menjëherë pas largimit të parakulturës me lavrimin e thellë. Në pranverë sa më herët që të jetë e mundur duhet të fillojë punimi plotësues.

Për këtë formë të kultivimit të qepës është me rëndësi zgjedhja e kultivarit të përshtatshëm për prodhimin e saj.

Mbjellja e farës duhet të bëhet sa më herët që të jetë e mundur për t`u kryer përgatitja e tokës (gjatë muajit shkurt – mars). Mbjellja e farës bëhet në thellësi rreth 2 cm. Sasia e nevojshme e farës për 1 ha sillet rreth 5 – 7 kg.

Masat e përkujdesit nuk dallojnë shumë nga ato që aplikohen te kultivimi i qepës me anë të qepujkave, ndonëse nevojitet një kujdes paksa më intensiv dhe më i madh i ujitjes (deri në fazën e formimit të bulbit).

Burimi: Qepa dhe Hudhra / Projekti Zvicran për Promovimin e Hortikulturës – Kosovë

Rekomandime