Kultivimi i sallatës në mjedise të mbrojtura

Kultivimi i sallatës në serra bëhet gjatë periudhës dimërore (nëntor-mars), pasi që mirë ju përballon temperaturave të ulëta. Varietetet e sallatës që kultivohen në serra kanë periudhë vegjetative 60-70 ditë, ndërsa në kushte jo të përshtatshme (temperatura shumë të ulëta), periudha vegjetative mund të zgjas deri në 90 ditë. Nëse planifikojmë që vjeljen ta bëjmë gjatë muajve tetor-nëntor, mbjellja duhet të bëhet nga mesi i gushtit. Ndërsa kur vjeljen planifikojmë ta bëjmë gjatë muajve janar-shkurt, mbjellja e farës duhet të bëhet gjatë tetorit.

Kultivimi i sallatës në mjedise të mbrojtura por edhe në fushë të hapur mund të bëhet në kohë të ndryshme në saje të kultivarëve të shumtë që ekzistojnë te kjo kulturë.

Përgatitja e tokës dhe mbjellja – Përjashtuar tokat me kripëzim të lartë, të gjitha të tjerat janë të përshtatshme për kultivimin e sallatës. Varësisht nga gjendja e tokës, bëhen një ose disa punime, ku këshillohet punimi në formë vllajash të ngritura e mbjellja në formë lentash, me një dendësi të mbjelljes 70-90 mij bimë/ha, në varësi nga pjelloria e tokës, kultivari dhe koha e mbjelljes.

Sallata reagon shumë mirë ndaj plehërimit organik, prandaj këshillohet përdorimi i tij përpara punimeve, sa herë që është i mundur. Sallata shfrytëzon mirë plehrat e trashëguara nga parabima, prandaj në qarkullimet bujqësore ajo vendoset pas bimëve të plehëruara mirë me plehra organike, si bostanoret dhe solonaret. Sallata mund të mbillet me farë drejtpërdrejt në vendin e përhershëm, e në këtë rast kërkon tokë të përgatitur shumë mirë, ku fara hidhet në brazda të cekëta, zinxhir, e pas mbirjes së plotë, bimët rrallohen dhe lihen në distanca të përcaktuara, ndërsa shërbimet tjera janë të njëjta me ato të sallatave të kultivuara me fidanë.

Ndonëse, mbjellja me fidanë me rrënjë të zhveshura është mënyra më e përhapur, rezultate më të mira arrihen nëpërmjet shfrytëzimit të kubikëve. Prodhimi i fidanëve, në këtë rast, realizohet në kaseta, poliesteroli ose plastike, me dendësi 400-500 fidanë/m². Fidanët e sallatës bëhen të gatshëm për mbjellje 25-30 ditë pas mbjelljes, kur formojnë 4-5 gjethe.

Falë ciklit të shkurtër vegjetativ dhe shumëllojshmërisë së kultivarëve e karakteristikave të tyre biologjike, mbjellja e sallatës mund të bëhet në çdo kohë të vitit. Ky fakt mundëson shfrytëzimin e mjediseve të mbrojtura në periudha të lira nga kultivimi me kultura intensive, duke rritur më mirë efektivitetin e shfrytëzimit të serrave.

Ndërrimi i fidanëve të sallatës bëhet në mënyrë sa më cilësore, dhe kjo arrihet nëse është bërë punimi i mirë i tokës. Fidanët mund të ndërrohen në rende apo lenta, e distancat e ndërrimit sillen nga 20-40cm x 20-25cm, varësisht nga kultivari, koha e ndërrimit, pjelloria e tokës etj. Gjatë kultivimit të sallatës, aplikohet shpesh mulqirimi i tokës me folje të zezë plastike, e që eliminon problemin e barojave, akumulon më mirë lagështinë, mbanë tokën më të ngrohtë etj.

Shërbimet gjatë vegjetacionit- janë të thjeshta dhe konsistojnë në zëvendësimin e bimëve që nuk kanë zënë apo janë dëmtuar, një apo dy prashitje, ujitjet dhe plehërimet.

Sistemi rrënjor i sallatës është relativisht i cekët (deri 30 cm) dhe, ndërkohë, ka sipërfaqe të madhe gjethore, që transpiron sasi të mëdha uji, andaj ujitjet duhet të jenë të kujdesshme, për të siguruar furnizim të plotë dhe të përhershëm të bimëve me uji. Për këtë arsye, këshillohet që ujitjet të jenë të shpeshta, por me doza të vogla uji. Ujitjet duhet kryer në orët e para të ditës dhe, mundësisht në ditë me diell, në mënyrë që gjethet të jenë të thata gjatë orëve të natës. Një masë e tillë është shumë e rëndësishme nëse ujitja e bimëve bëhet në formë shiu. Në mënyrë orientuese, këshillohet që dozat ditore të ujitjes të jenë sa 80 % e vlerës së evapotranspirimit ditor të bimëve.

Këshillohet që plehërimi i sallatës, menjëherë pas lidhjes së saj me tokën, të bëhet me 0.5-1 kg/ha në ditë azot (lëndë aktive), ndërsa duke filluar nga formimi intensiv i rozetës së gjetheve me 3 kg/ha në ditë. Plehu më i përshtatshëm për sallatën është nitrati i kaliumit(KNO3), i cili u siguron bimëve në të njëjtën kohë edhe sasitë e nevojshme të kaliumit. Sallata është shumë e ndjeshme ndaj fosforit në moshat e reja, prandaj këshillohet që plehërimet e para të jenë të kombinuara me plehra fosforike.

Vjelja e sallatës- bëhet në pjekjen teknologjike, kur kokat arrijnë madhësinë dhe formën e kultivarit, d\he vjelja duhet të jetë e koordinuar me kërkesat e tregut. Pas vjeljes sallata për një kohë të shkurtër e humbë shumë cilësinë e saj, nëse nuk ruhet në kushte të përshtatshme. Kur ka mundësi të ruajtjes në frigorifer në temperaturë +0.5 °C dhe lagështi relative të ajrit 90-95 %, sallata mund të ruhet deri 15 ditë, ndërsa nëse është e mbështjellë me pe folje mund të ruhet edhe dyfish më shumë./IADK/

Rekomandime