Mbjelljet vjeshtore shtyhen për arsye të thatësisë

Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë thonë se edhe pse janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e mbjelljeve vjeshtore, ky proces akoma nuk kanë filluar për shkak të thatësisë që po mbretëron në vendin tonë.

Ata thonë se mbjellja e grurit dhe kulturave të tjera vjeshtore, do të subvencionohen edhe këtë vit, por me disa ndryshime. Bujqit ndërkaq, kërkojnë rritjen e subvencioneve, pasi që ato janë të pamjaftueshme për punimin e tokës.

Bujku Basri Avdyli, nga fshati Softaj i Ferizajt, tokën që mbolli me misër në pranverë, tashmë po e përgatitë për ta mbjellë me grurë.

Ai thotë për Radio Kosovën se edhe pse ka pak fitime nga punimi i tokës, këtë vit planifikon t’i mbjellë disa hektarë me grurë. Sipas tij, subvencionet që ndahen për mbjelljen e grurit janë të pa mjaftueshme, përderisa ka disa kërkesa për Ministrinë e Bujqësisë.

“Çmimi i naftës m’u ulë, subvencionet mundësisht brenda mundësve m’u rritë, me pas përkrahje më të mirë. Nëse na ndihmon Ministria e Bujqësisë, unë këtë vit i mbjelli 23 hektarë grurë, pasi që këto janë planifikimet e mija”, tha Avdyli.

Drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Isuf Cikaçi, thotë se mbjellja e grurit dhe kulturave të tjera bujqësore vjeshtore, do të vazhdojë të subvencionohet, por se mënyra e subvencionimit të grurit mund të ndryshojë.

Sipas Cikaçi, edhe pse janë bërë të gjitha përgatitjet për mbjelljet vjeshtore, mbjelljet akoma nuk kanë filluar.

“Për shkak se këto ditë kanë qenë ditë me thatësi, nuk ka pasur reshje, nuk ka filluar ende procesi i mbjelljeve. Presim që këto ditë të ketë reshje dhe të fillojë procesi i mbjelljeve”, tha Cikaçi.

Në Ministrinë e Bujqësisë thonë se afati optimal për mbjelljen e grurit është deri në mesin e nëntorit, dhe se në Kosovë këtë vit planifikohet të mbillen mbi 70 mijë hektarë me grurë.

Rekomandime