Media zvicerane shkruan për “Albanien-Boom”, shtohet për 50% numri i turistëve zviceranë

Faqja e radios private më të madhe zvicerane “Energy Zürich” i ka kushtuar një artikull Shqipërisë.

Gjithmonë e më tepër zviceranë kërkojnë të kryejnë pushimet në Shqipëri. Në 2017 në Shqipëri kanë qenë 50 për qind më shumë zviceranë sesa vitin paraprak. Kjo tregon se Shqipëria është në trend për zviceranët. Sipas magazinës «Travel Inside» në 2016 në Shqipëri kanë udhëtuar 36’730 persona nga Zvicra, ndërsa në 2017 54’051 sosh.

Zëdhënësja e “Tui Schweiz”, Bianca Schmidt, sqaron kundrejt radios Energy se shumica e turistëve që vizitojnë Korfuzin, kërkojnë të ndalojnë një ditë në Shqipëri. Kjo është një indikacion tjetër për “Albanien-Boom”, siç shkruan media zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Shqipëria krahas rivierës së bukur bregdetare, të ofron edhe alpet në veri dhe verilindje të saj.

Edhe Saimir Shala, i cili ka krijuar “Albania Reisen” , e që është me rrënjë shqiptare është i bindur se Shqipëria është shumë e larmishme me bregdetin e gjatë dhe malet. Siç tregon Saimir Shala për Radio Energy, Shqipëria nuk e ka ende të zhvilluar turizmin si Spanja apo Italia, por kjo e bën më interesant vendin për ta vizituar.

Rekomandime