Mediet amerikane shkruajnë për historinë e grave fermere të Krushës së Madhe

“Nëntëmbëdhjetë vite më parë, Fahrije Hoti, 48 vjeçare, la shtëpinë e saj në Krushë të Madhe për të dalë në malet e afërta e më pas në Shqipërinë fqinje. Forcat ushtarake të ish presidentit serb Slobodan Millosheviq kishin zbritur në këtë fshat rural të Kosovës jugperëndimore dhe i ndanë burrat nga familjet e tyre”, nis shkrimi i një reportazhi të gjatë të medies amerikane ‘NPR.ORG’ për gratë fermere të Krushës së Madhe të Rahovecit.

Historia e këtyre grave, që nga lufta dolën të rraskapitura, me burra dhe fëmijë të vrarë të zhdukur e prona të djegura, vazhdon të mbetet referencë e shumë shkrimeve të medieve në botë.

Shndërrimi në kryefamiljar menjëherë pas luftës, marrja me bujqësi dhe arritja e krijimit të një biznesi fitimprurës me kultivimin dhe konservimin e perimeve për të mbajtur familjet e tyre, po shërben si një mesazh për të demonstruar forcën që ka një grua në gjithë botën, përmes medieve që shumë shkrime u kanë kushtuar atyre, shkruan TokaJonë.

Fahrije Hoti mban një fotografi të burrit të saj të vrarë në luftë.
Foto: Valerie Plesch

“Për 19 vite, unë ende nuk e di se çfarë ka ndodhur me burrin tim”, rrëfen Fahrije Hoti për medien amerikane, e cila ishte kthyer në shtëpi në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s në forcat ushtarake të Milosheviqit.

Burri i Fahrije Hotit mbetet në listën e personave të zhdukur nga Lufta e Kosovës që la më shumë se 10 mijë njerëz të vdekur. Në të vërtetë, asnjë prej burrave nga fshati nuk është kthyer. Mbi 140 gra humbën burrin apo djemtë, e disa të dytë. Më vonë, Krusha e Madhe u zbulua si skena e një prej masakrave më të rënda të luftës. Dhe tani ky fshat njihet si fshati i të vejave të luftës.

Ajvari i përgatitur në Kooperativën Krusha

Në këtë medie tutje ceket se si Fahrije Hoti që vjen nga një familje fermere e kultivimit të specit, pas luftës filloi të punonte tokën, të mbillte speca dhe të përgatiste ajvar, e cila në vitet e pasluftës ka shitur kavanoza të ajvarit shtëpiak në kryeqytetin e sapo çliruar të Kosovës, Prishtinën.

Disa vjet më vonë, në vitin 2005, Hoti doli me idenë se nëse gratë do të bashkoheshin për të bërë ajvar dhe prodhime tjera kosovare si turshi, do të ndihmonin njëra-tjetrën për të rindërtuar jetën.

Sot Fahrije Hoti drejton një kooperativë të specave ‘Kooperativa Krusha’, e cila punëson rreth 50 gra, shumë prej cilave janë vejusha të luftës. Duke pasur parasysh të gjitha që ka arritur, ajo është deklaruar optimiste për të ardhmen e Kosovës më shumë se disa njerëz në këtë shtet të ri, që në shkurt festoi 10 vjetorin e pavarësisë nga Serbia.

 

Fahrije Hoti, drejtoreshë në ‘Kooperativën Krusha’

Gratë e Krushës përgatisin deri në 8.000 tegulla ajvar për vetëm një porosi në Gjermani ose Zvicër, ku jetojnë shumica e diasporës shqiptare. Ato mbushin rreth 700 kavanoza çdo ditë në fabrikën e specave.

Për të mbërritur deri këtu, Hoti kishte për të kapërcyer shumë pengesa shkruan kjo medie amerikane, veçanërisht pritjet e shoqërisë në vendin e saj që gratë e veja duhet të qëndrojnë në shtëpi. “Është mentalitet këtu, por gratë e Krushës e thyen tabun”, deklaron Hoti.

“Të gjitha këto do të ishin mbyllur në shtëpitë e tyre me familjarët e tyre pa e ditur botën e jashtme, pa u informuar për atë që po ndodhë. Pa këtë iniciativë për gratë e Krushës, pasojat e luftës do të kishin qenë një luftë e dytë për ato”, thoti Hoti në fund për ‘NPR.org’./TokaJonë/

Rekomandime