Mënyra e kultivimit të hudhrës

Paraprakisht duhet pasur shumë kujdes në zgjedhjen e materjalit (thelbinjëve) për mbjellje, sepse mund të jenë të infektuar. Tek ne zakonisht fermerët shfrytëzojnë për mbjellje thelbinjtë e hudhrës të prodhuar nga prodhimtaria e rregullt e saj. Si material për mbjellje shfrytëzohen thelbinjtë e shëndoshë, të pa deformuar dhe kryesisht nga pjesa anësore e bulbit.

Përgatitja e tokës

Përgatitja e tokës fillon në vjeshtë, ndërsa për mbjelljen vjeshtore fillohet menjëherë pas largimit të para-kulturës. Në pranverë punimi plotësues duhet të fillojë sa më herët që të jetë e mundur.

Qarkullimi bimor

Hudhra kultivohet pas lakrës, pas drithërave dhe pas disa perimeve të hershme. Në të njëjtën sipërfaqe nuk preferohet të mbillet rresht për 3–4 vite. Në anën tjetër hudhra është parakulturë shumë e mirë për shumicën e bimëve të tjera perimore.

Mbjellja

Mbjellja (ndërrimi) e thelbinjëve bëhet me dorë ose në mënyrë të mekanizuar. n Tek mbjellja pranverore, mbjellja e thelbinjëve bëhet sa më herët që të jetë e mundur (zakonisht deri nga mesi i marsit). Ndërkaq, tek mbjellja vjeshtore afati optimal i mbjelljes është nga mesi i tetorit. Mbjellja e thelbinjëve duhet të bëhet në thellësi rreth 3 cm.

Distancat e mbjelljes janë të ndryshme dhe ato sillen rreth 25–30 cm ndërmjet rendeve dhe 8–10 cm ndërmjet bimëve në rend. Sasia e thelbinjëve për hektar është rreth 700–1000 kg, ndërsa te mbjella vjeshtore kjo sasi mund të jetë diç më e lartë.

Masat e përkujdesit gjatë vegjetacionit

Masat e përkujdesit gjatë vegjetacionit bazohen në kultivimin ndërmjet rendeve, mbrojtjen nga sëmundjet dëmtuesit dhe barojat. Gjithashtu kujdes duhet treguar për ujitjen e bimëve dhe eventualisht ri-plehërimin e tyre.

Kultivimi ndërmjet rendeve është masë e obligueshme. Përmes kësaj mase arrihet përmirësimi i regjimit ujoro–ajëror të tokës dhe ruajtja më e mirë e sasive të ujit në tokë. Shkriftimi më i mirë është i rëndësishëm edhe për faktin se mundëson rritje më cilësore të bulbit të hudhrës, i cili në toka të ngjeshura ngeli i deformuar dhe në përgjithësi më i vegjël. Gjithashtu përmes kultivimit ndërmjet rendeve bëhet edhe eliminimi i barojave.

Ujitjeve (sidomos tek mbjellja pranverore) duhet kushtuar kujdes. Fazat më kritike për ujë janë dy–tri javët e para pas mbjelljes së thelbinjëve dhe rritës intensive të pjesës mbitokësore deri te formimi i plotë i bulbit (në kushtet tona deri nga mesi i qershorit). Andaj në këtë fazë duhet pasur kujdes që varësisht nga kushtet konkrete në fushë të aplikohet edhe ujitja. Zakonisht aplikohen 2–3 ujitje.

Vjelja

Vjelja e hudhrës kryhet kur bëhet tharja masive e pjesës mbitokësore të bimëve. Hudhrat që nuk e kanë të tharë pjesën mbitokësore apo që vjelën gjatë kohës kur ka shumë të reshura ruhen me shumë vështirësi dhe si të tilla është më mirë të përdoren për konsum të menjëhershëm. Pas vjeljes pjesa e tharë mbitokësore (sikurse edhe rrënjët) duhet të pastrohet. Në vendet për ruajtje hudhra duhet të vendoset e terur. Ruajtja e hudhrës bëhet në mënyrë të ngjashme sikurse edhe qepa.

Rekomandime