Mos përkrahja e shtetit po i shkatërron bujqit e Vushtrrisë (Video)

Mbjellja e qindra hektarëve tokë me patate, bujqve të Vushtrrisë u ka sjell zhgënjim, e jo të ardhura.

Një pjesë e madhe e fermerëve po detyrohen t’i hedhin patatet në mbeturina, për shkak të bllokimit të tregtisë me Shqipërinë.

Bujku Mehdin Merovci thotë për RTV Dukagjinin, se këtë vit ka hedhur në mbeturina sasi të mëdha të patateve, sepse ato nuk janë shitur.

“Shtatë mijë euro borxh u dashtë me hi për me ble farë. Asgjë nuk kemi marrë nga ta”, shprehet i zhgënjyer bujku nga Vushtrria, përcjell Telegrafi.

Ndërsa bujku Imer Merovci, thotë se ky është viti i tretë që po përballën me probleme në tregun e patates.

Sipas tij shteti nuk është lodhur asnjëherë për këtë problem.

“Nuk ja vlen as mu marrë më me ta, tri vite kemi problem me i shitë patatet”, thotë Imer Merovci.

Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Vushtrrisë, Miran Halili, thotë se për t’u ardhur në ndihmë kultivuesve këtë vit do të ndërtohet një treg për prodhuesit vendorë.

“Ajo çka mundë të bëjmë ne, është t’u krijojmë kushtet fermerëve , që kosto e prodhimit të patates të jetë më e ulët”, u shpreh drejtori Halili./Telegrafi/

Rekomandime