Në Rahovec shënohet Dita Botërore e Tokës

Në bazë të agjendës së përcaktuar aktivitetet do të nisin në orën 10 në parkun e qytetit në Rahovec, ku do të jenë të pranishëm edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministrja e MMPH Albena Reshitaj.

Ndër të tjera planifikohet edhe organizimi i një gare në vizatim dhe pikturë ndërmjet nxënësve të shkollave të Rahovecit, ndërsa temë do të jetë Toka dhe ambienti jetësor. Tri punimet më të mira do të shpërblehen me shuma modeste financiare. Po ashtu do të nxiten të rinjtë e të rejat që të përdorin materiale të riciklueshme, si dhe do të bëhet promovimi i prodhimeve bujqësore të komunës së Rahovecit.

Ndërkohë në parkun e qytetit do të mbillen disa drunj dekorativ në simbolikë të Ditës së Tokës, kurse në disa lokacione të komunës së Rahovecit, të identifikuara si zona më të ndotura, do të bëhet pastrimi dhe mbjellja e rreth 1500 fidanëve të pishave.

Në përmbyllje të aktiviteteve do të organizohet një tryezë diskutimi me ekspertë dhe grupe e individë që merren me çështjet e ambientit dhe mbrojtjes së tokës. Tryeza mbahet në mjediset e hotelit Park në Rahovec me praninë e medieve lokale e qendrore.

Komuna e Rahovecit, respektivisht Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, si nikoqir i këtij aktiviteti, gëzon mbështetjen e MMPH, OJQ-ve; “Let’s Do it Kosova”, Regional Environmental Center (REC), Green Art Center (GAC) dhe organizatave ambientaliste lokale.

Koordinator i këtij aktiviteti është emëruar Rumir Zhuniqi, drejtor i DUPMM në Ekzekutivin e Rahovecit.

Rekomandime