Rëndësia e ri-plehërimit të grurit

Nga Prof. dr. Imer Rusinovci

Ri-plehërimi i grurit (ushqimi plotësues – suplementar), përfaqëson një nga problemet më të ndërlikuara, në të ushqyerit mineral të kësaj kulture strategjike. Në kushtet tona, ri-plehërimi i parë i grurit duhet zbatuar në fund të shkurtit ose fillim të marsit, me 60-70 për qind të pjesës së ngelur të plehrave azotike, që nuk rekomandohen të jepen në vjeshtë, si rezultat i mobilitetit të azotit. Nëse sasia e kërkuar e materieve azotike nuk i kalon 60 kg/ha, kryhet vetëm një ri-plehërim.

Ri-plehërimi i parë i grurit, ka ndikimin të dukshëm në prodhimin e planifikuar. Në varësi nga lloji i tokës, sasia optimale e materieve aktive azotike në ri-plehërimit e parë sillet 60-80 kg/ha (150 kg/ha Ure).

Ri-plehërimi i dytë i grurit, është korrektues (korrigjues) dhe kryhet para ngritjes masive të kërcejve të bimëve (rreth një muaj pas ri-plehërimit të parë). Nëse sasia e materieve azotike në ngastër, kërkohet të jetë mbi 60 kg/ha, kjo sasi e materieve aktive azotike, ndahet në dy pjesë (në pjesën e parë 60 për qind, ndërsa në ri-plehërimin e dytë – korrektues me 40 për qind). Në prodhimtarinë intensive të grurit, kur sasia e materieve azotike në ngastrat kultivuese, kërkohet të jetë mbi 80 kg/ha dhe nëse bëhen vetëm dy ri-plehërime (në ri-plehërimin e parë jepet 80 për qind, ndërsa në ri-plehërimin e dytë 20 për qind N). Nitrati i amonit mund të përdoret për ri-plehërimin e dytë, kur bimët janë më të forta (para ngritjes së kërcejve të bimëve), në një sasi rreth 100 kg/ha të NAG-ut).

Ri-plehërimi i tretë i grurit, është krejtësisht korrigjues dhe nuk ka ndikim të madh në sasinë e prodhimit, porse në cilësinë e tij. Më të madhe përdoret në vendet perëndimore.

Kujdes gjatë përdorimit të Ure-së: Në temperatura të ulëta nën zero gradë Celcius, për shkak të humbjeve të mundshme që mund të ndodhin nga sipërfaqja e tokës, Ure-ja lehtë përvetësohet në formë molekulare nga rrënjët dhe gjethet, andaj ndërtimi i reduktuar i azotit në bimë kërkon një shkallë të lartë frymëmarrje, përkatësisht këto-acideve të Ciklit të Krebsit. Në këtë mënyrë, në temperatura të ulëta dhe intensitete të ulëta të metabolizmit, lehtë pason helmimi i bimëve me amoniak dhe vonesa në vegjetimin e bimëve.

Edhe në temperatura të larta, përdorimi i Ure-së mund të shkaktojë ‘djegie’ serioze të gjetheve. Dëmtimet në gjethe gjatë përdorimit të Ure-së, nuk janë pasojë e efekteve toksike, porse e vlerave të larta osmotike të shpejtësisë së tretjes së plehut duke ‘tërhequr’ lagështi nga indet e ndjeshme të gjetheve, me ç’rast bllokohet enzimi ‘Ureaza’, dukuri kjo që çon në plazmolizën e bimëve, duke çrregulluar ekuilibrin e joneve në protoplazmë me shkaktim djegiesh, e më pas edhe nekrozën e gjetheve. Problemi i dëmtimit të gjetheve mund të zbutet duke shtuar substanca për të rritur vlerat osmotike në formë të plehrave të lëngëta (sheqerna – saharozë).

Andaj për ri-plehërimin e parë të grurit, fermerëve ua rekomandojë formën e Ure-së, ndërsa për ri-plehërimin e dytë, formën e NAG-ut, konformë normave që paraqita më lartë.

Afati optimal agroteknik për ushqimin plotësues të grurit (riplehrimin e grurit), me plehra azotike është pikërisht tanimë, andaj këtë masë të rëndësishme agroteknike nëse nuk e keni zbatuar në fund të Shkurtit, zbatojeni në këtë fillim Marsi.

Të gjithë fermerëve, punë të mbarë dhe shumë suksese në prodhimtarinë e grurit!/Gazeta Bujku

Rekomandime