Rritet çmimi i patates, gjasa të rritet edhe eksporti

Tash e disa vite përballet me problemin e shitjes së patateve. Por, Shukri Xhaferi, kultivues i patateve në Vushtrri duket që këtë vit ka gjetur rehatinë.

Xhaferi i cili ka të mbjellë mbi tre hektar tokë me patate ka thënë për arbresh.info se çmimi është ngritur duke shtuar edhe motivin për punë. “Tash është më mirë, nëse vazhdon kështu do të ishte shumë mirë për ne. Është maksimizuar çmimi, për momentin është 30-35 centë për kilogram ndërsa po rritet vazhdimisht”, ka thënë ai.

Por, në këtë ngritje çmimi nuk ka ndikuar taksa doganore e vendosur për Serbinë dhe Bosnjën.

“Kjo rritje e çmimit nuk është rezultat i vendosjes së taksës doganore për Serbinë dhe Bosnjës por thatësia që ka mbretëruar në Evropë. Sipas informacioneve ka mungesë të patates dhe qepës në Belgjikë, Gjermani, Suedi e vende tjera në Evropë”, ka shtua ai.

Fermeri kosovar ka thënë gjithashtu se pritet ende rritje e çmimit të patates.

“Ky vit për ne është shumë i mirë, madje besojmë që do të kalojnë edhe disa vite e nuk do të kemi çmim më të mirë pasi pritet që çmimi të rritet ende”, ka përfunduar ai.

Viteve të fundit prodhuesit e patates në Kosovë janë përballur me telashe të shumta në shitje të këtij produkti.

Një pjesë e tyre kanë pasur ‘fatin’ t’i shesin ato me 3o centë ndërsa të shumtë ishin ata që me mijëra kilogramë i kanë hedhur skaj rrugëve.

Fermerët kosovarë u patën shprehur të zhgënjyer me komunat dhe qeverinë, të cilët sipas tyre nuk u kanë ofruar asnjë ndihmë në shitje të këtij produkti.

Rekomandime