Sëmundjet e bletëve dhe veçantit e tyre

Nga Prof. Dr. Agim Nelaj

Në dallim nga gjallesat e tjera shtëpiake, bleta bart veçanti që ia bëjnë më të vështirë parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve. Lidhet kjo dhe me mënyrën e riprodhimit, organizimit dhe marrëdhënieve të tjera brenda një tërësie që ka pjesën e dukshme, por më shumë ka “jetë sekrete”.

Përdorimi i barnave për parandalim të sëmundjeve dhe trajtimi i tyre, bëhet përafërsisht me rregullat dhe metodat e përdorura në gjallesa të tjera. Ndërsa biologjia, fiziologjia, reaksionet biokimike dhe një alkimi e panjohur, shpesh bie ndesh me ndërhyrje të pamenduara dhe të panjohura nga ana jonë. Por, bleta ka dhe veçanti të tjera nga gjallesat e tjera shtëpiake.

Familja bletë kryen veprimtari jetësore brenda zgjoit. Në një hapësirë kaq të ngushtë, veprojnë disa mijëra pjesëtarë. Në këtë mjedis vazhdimisht ka jashtëqitje, bletë dhe larva të vdekura, mjaltë dhe pjalm të një cilësie të dobët, të ndotur, dyll të ngopur me pesticide, menjë të prishur etj. Një mjedis i tillë krijon kushte të përshtatshme për zhvillimin e sëmundjeve. Sëmundjet vijnë nga disa faktorë: biologjikë (patogjenë, parazitë, kërpudha etj.), kimikë (nektar a pjalm i helmuar), termikë (tejftohje ose tejngrohje e zgjoit, avullim i pakët ose rritje e lageshtirës etj.), e të tjerë që lidhen me pakujdesinë e bletarit. Infeksionet kryesore transmetohen nga familjet e prekura.

Qoftë dhe vetëm, një familje e prekur në një bletore, bëhet kërcënim serioz për gjithë të tjerat. Asgjësimi ose veçimi i saj është masa më e mirë parambrojtëse nga shpërthimi dhe marrja e përmasave të tilla, që ndoshta mund të shpjerë deri në humbje të të gjithë bletores.

Gjithsesi bleta, ashtu si dhe qeniet e tjera, jeton në një mjedis të përbashkët, ku është e rrethuar jo vetëm nga shkaktarë sëmundjesh tradicionale (patogenë, parazitarë) e lëndë helmuese, por dhe me një mjedis të rënduar ekologjikisht, me ndryshime drastike të klimës, me kulturat OMGJ etj.

Ndërhyrja agresive e njeriut në mjedisin e jetës shekullore të bletës, ka sjellë jo vetëm rëndimin nga viti në vit, por dhe rrudhjen e veprimtarisë së saj. Pra bleta nuk është më e lirë. Në kushte mjedisore që çdo ditë rëndohen, asaj i takon të riprodhojë, të grumbullojë ushqim, të përballojë vështirësitë e mbijetëses dhe njëkohësisht t’i japë njeriut një ushqim të rrallë natyror. Megjithatë, në këto rrethana të vështira, kjo qenie e veçantë e natyrës ka një bashkudhëtar, bletarin.

Prej shekujsh kjo gjallesë ka qenë në mbrojtje të tij. Ajo e ka ndjerë dashurinë, shpirtin dhe durimin e tij dhe ia ka shpërblyer me prodhimet më hyjnore të natyrës. Gjithsesi sëmundjet, helmimet, çrregullimet e tjera metabolike vazhdojnë të ushtrojnë trysni, duke i sjellë një dëm te madh bletarisë.

Humbjet e prodhimit bien ndjeshëm deri në 60-70%.E nëse masat tona nuk janë të efektshme dhe në kohën e duhur, atëherë flitet për vdekje.

Mjedisi i brendshëm dhe përditshmëria e bletëve kujdestare shërbejnë si mundësi reale e përhapjes së infeksioneve të brendshme. Pra, janë bletët përhapëse dhe sidomos të rejat, duke shërbyer, duke hequr larvat dhe bletët e vdekura, duke pastruar hojet, përpunuar nektarin, pjalmin dhe ushqimin e pjelljeve. Bletët me aparatin gojor dhe kontaktin trupor shpërndajnë sporet nëpërmjet largimit të larvave të sëmura ose të vdekura dhe kalimit në hoje ku zhvillohen larva të shëndosha. Dëmi është më afatgjatë kur me to përlyhet nektari, poleni dhe dylli. Përlyerja me agjentë patogjenë e rezervave ushqimore krijon vështirësi për trajtimin me barna.

Ata jo vetëm nuk i nënshtrohen këtij ndikimi, por krijojnë një vazhdimësi që e bën të vështirë çrrënjosjen e infeksionit. Kjo bën që sëmundjet të rishfaqen herë pas here, kur familja dobësohet, kur ka mungesa ushqimi etj, pra kur ulet aftësia mbrojtëse e bletëve.

Mjedisi i jashtëm krijon kushtet më të përshtatshme për përhapjen e infeksioneve në familjet e bletëve ose nga një bletore në një tjetër. Janë po vetë bletët që e përhapin me shpejtësi sëmundjen. Familja e prekur nga sëmundja dobësohet, ajo bëhet pre e bletëve më të forta (ka bletë që e kanë të zhvilluar instiktin e grabitjes). Vazhdon.

Rekomandime