SHFKQ: Neglizhenca e AUV-së po i mbyll fermat e Kosovës

Fermerët e Kosovës i përkrahin plotësisht kërkesat dhe shqetësime e Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës lidhur me papërgjegjësinë e Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës.

Shoqata e Fermerëve Kosovar të Qumështit thotë se ekzistenca e 2500 fermerëve të Kosovës është rrezikuar vazhdimisht për shkak të mungesës së vullnetit të AUV-së për t’i trajtuar shkeljet që janë duke u bërë në sektorin e qumështit që sa e sa vite nga prodhues dhe importues të papërgjegjshëm.

“Kjo problematikë nuk është e re dhe ne vazhdimisht kemi njoftuar organet relevante, por kjo rrezikon që të margjinalizohet pikërisht për shkak të mungesës së angazhimit të AUV-së që të mbrojë konsumatorin vendor nga rreziqet e produkteve me përmbajtje të dyshimtë. E bëjmë me dije Qeverinë e Kosovës dhe opinionin e gjerë se në vazhdimësi ka rënie të prodhimtarisë vendore të qumështit dhe mbyllje të fermave, për shkak të konkurrencës së padrejtë që na është bërë nga produktet me vaj palme dhe përbërës të tjerë që përveç rrezikshmërisë ekonomike kanë edhe rrezikshmëri shëndetësore”, thotë kjo shoqatë.

Për shkak të kësaj neglizhence, sa për ilustrim, sipas SHFKQ-së, tani në Kosovë prodhohen 20 milionë litra më pak qumësht sesa në vitin 2014.

Prandaj, kjo Shoqatë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës se është momenti i fundit që të ndërmarrë masa sa më shpejt në drejtim të funksionalizimit të AUV-së.

“Duhet të kihet parasysh se 2500 fermerë kosovarë nënkuptojnë 2500 familje kosovare dhe disa mijëra kosovarë të tjerë të punësuar në këto ferma. Andaj mosfunksionalizimi i AUV-së rrezikon mbylljen e mëtejshme të fermave tona dhe ekzistencën e mijëra të punësuarve në to”, ka përfunduar Shoqata e Fermerëve Kosovar të Qumështit.

Rekomandime